Mbi 6 mijë qytetarëve iu ndalua vozitja për shkelje në trafik
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbi 6 mijë qytetarëve u është ndaluar drejtimi i mjeteve motorike që nga fillimi i vitit 2026.
Sipas të dhënave të Policisë, gjithsej 6 mijë e 259 shoferëve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të automjetit, në kuadër të zbatimit të ligjeve që rregullojnë sigurinë në trafikun rrugor.
Policia ka sqaruar se këto masa janë ndërmarrë krahas gjobave për kundërvajtje të ndryshme dhe janë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
“Policia e Kosovës zbaton të gjitha ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ligjet që lidhen me fushën e trafikut, ku përveç gjobave janë paraparë edhe masa mbrojtëse”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Kjo çështje është diskutuar edhe pas deklarimeve të disa njohësve të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë ngritur dilema nëse ndalimi i drejtimit nga Policia paraqet shkelje të të drejtave të qytetarëve. Policia ka theksuar se veprimet e saj bazohen në dispozitat ligjore për sigurinë në komunikacion.
