Çështja e dinarit: Kosova s’e pranoi ftesën e Lajçakut për takim, Serbia i përgjigjet pozitivisht

25.02.2024

Një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është planifikuar në Bruksel për të martën, më 27 shkurt.

Çështja e dinarit: Kosova s’e pranoi ftesën e Lajçakut për takim, Serbia i përgjigjet pozitivisht Foto: Kryeministri Albin Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, foto kryeministria

Ftesa është bërë nga i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, e cila ka për diskutim dekretin për heqjen e pagesave të dinarit në Kosovë, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e miratoi në fund të dhjetorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmoi ditë më parë se nga Brukseli ka pasur kërkesë që për çështjen e dinarit të ketë takim javën e ardhshme.

Por, ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, duke shtuar se do të vendoset javën tjetër se kush do të shkojë.

“S’ka kurrfarë zhvillimi. Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për çështjen e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, emisari Miroslav Lajçak, i ka shkelur parimet “që i ka vendosur vetë”, duke thënë se është hera e parë që ka caktuar takim pa koordinim me palët.

“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkel parimet të cilat i ka vendosur vet për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve. Por, ftesa ka ardhur në adresën time”, tha ai.

Ndërkohë, kryenegociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, ka pranuar ftesën e ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak, për takim më 27 shkurt për të biseduar rreth çështjes së ndalimit të valutës serbe.

Siç ka mësuar mediumi serb Tanjug, delegacioni serb në krye me Petkoviq do të udhëtojë për në Bruksel, duke shprehur kështu gatishmërinë për t’iu përgjigjur ftesës së Lajçakut.

Deklarata e Escobarit rreth dinarit

Ndërkohë i Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka shprehur shpresën se përfaqësuesit e Kosovës do të marrin pjesë në takimin në Bruksel.

I pyetur se a është diskutuar më herët në dialog politika e re për dinarin me Beogradin, ai tha:

“Ka dy gjëra të rëndësishme për këtë: njëra është se Bashkësia e Komunave me shumicë serbe – formimi i së cilës është obligim dhe për ne duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Komunitetit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet përgjegjëse nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme.

Tani imagjinoni që Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në Amerikë (IRS) një ditë vendos të ndryshojë sistemin e taksave, pa lëshuar asnjë udhëzim apo njoftim. Epo, kjo do të kishte pasoja të mëdha për biznesin. Së dyti, ata nuk kanë biseduar me komunitetin lokal, i cili varet nga përfitimet sociale nga Serbia. Së treti, Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë, për shembull një grua është drejtuar në ambasadën tonë e cila është 100% e varur nga përfitimet sociale, sepse kujdeset për djalin e saj me aftësi të kufizuara, nuk ka alternativë. Më pas, Kosova refuzoi asistencën teknike të QUINT-it për të gjetur një mekanizëm pagese që do të ishte transparent dhe elektronik dhe nuk do të prishte jetën e njerëzve. Më në fund, në samitin në Shkup (takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në janar 2024), gjashtë vende diskutuan për një sistem pagese që mund të aplikohet në të gjitha vendet. Pra, gjithçka që duhej të bënte Kosova ishte të priste dhe të merrte një sistem transparent“, deklaroi ai dy ditë më parë në një intervistë për VOA.

Ndonëse e ka refuzuar ftesën, Bislimi megjithatë nuk e ka përjashtuar që dikush nga pala kosvoare do të shkojë – gjë që mbetet ende e paqartë.