Bytyçi në takim me gratë dhe vajzat e Suharekës premton 500 euro për çdo lindje dhe transport falas për gratë shtatëzëna
Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, prof.Hamdi Bytyçi, gjatë ditës së mërkurë ka mbajtur takim me vajzat dhe gratë e Komunës së Suharekës.
Foto: Ilustrim
Bytyçi i shoqëruar nga deputetja e LVV, Albulena Haxhiu dhe kandidatet për Asamble Komunale nga komuna e Suharekës kanë mbajtur takim me vajzat dhe gratë e kësaj komune ku kanë njoftuar për planin dhe ndihmën të cilën do ta ofrojnë për to.

Në këtë takim të organizuar nga LVV-Suharekë Haxhiu tha se u befasua nga numri i të pranishmeve, e poashtu, shtoi se është e nderuar që merr pjesë në takimin e prof. Hamdi Bytyçit të cilin e vlerson si një person me integritet të lartë.
“Më thanë që e kemi në plan të organizojmë një takim me 20-30 gra, por që mendoj se i kemi tejkaluar pritjet sepse natyrisht që është një numër shumë i madh. LVV është i vetmi subjekt politik që në qeverisje qendrore, me kryeministrin Kurti ka ndërmarrë shumë politika që prekin direkt vajzat dhe gratë” tha Haxhiu.
Tutje ajo fjalë të mira kishte edhe për kanddatin për kryetar të Komunës së Suharekë, Hamdi Bytyçin.
“Kam pas rastin ta takoj edhe para se ky të ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe thjeshtë kam qenë e nderuar që kam pas në atë kohë mundësinë me qendru pak kohë me një person që ka integritet të lartë” ka thënë ndër tjerash Haxhiu.
Ndërsa, në fjalën e tij kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës, Hamdi Bytyçi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se ndryshimi për këtë komunë do të ndodhë me 12 tetor.
“Do të ndodhë ndryshimi pikërisht me 12 tetor, do të ndodh ndryshimi sepse ska ndryshe, është vullneti është guximi i krejt grave” tha Bytyçi, përcjellë SuharekaOnline.
Poashtu, gjatë takimit Bytyçi pati edhe disa premtime për vajzat dhe gratë e Komunës së Suharekës. Ai u zotua se me fitoren e tij në Komunën e Suharekës, çdo firmë e cila punëson një grua do të subvensionohet me pagë minimale për gjashtë muaj, poashtu Bytyçi premtoi se do të ndahen nga 500 euro për çdo lindje, transport falas për gratë shtatëzëna, qendra këshilluese për gratë dhe vajzat e reja.