Ndërprerja globale e Microsoft-it prek edhe Kosovën, miliona përdorues pa qasje në shërbime
Një problem i madh teknik në infrastrukturën e Microsoft-it ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të kompanisë në mbarë botën, duke prekur miliona përdorues dhe institucione në më shumë se 70 shtete.
Ndërprerja, e cila ka nisur mbrëmjen e së enjtes, më 12 nëntor, ka prekur disa nga shërbimet kryesore të kompanisë, përfshirë Outlook, Microsoft Teams, Word, Excel, OneDrive dhe Copilot.
Problemet kanë ndikuar edhe në funksionimin e kompanive të inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI dhe Anthropic, të cilat përdorin infrastrukturën e Microsoft-it.
Pasojat janë ndier edhe në spitale, shkolla, linja ajrore dhe institucione qeveritare në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi. Disa prej tyre janë detyruar të përdorin mënyra alternative të komunikimit dhe të regjistrojnë të dhënat në formë fizike.
Sipas njoftimeve të kompanisë, ndërprerja nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë sulmi kibernetik, por dyshohet se është shkaktuar nga një problem konfigurimi, i cili ka çuar në mbingarkesë të serverëve.
Microsoft-i ka bërë të ditur se sistemet kanë filluar të stabilizohen, megjithëse disa përdorues vazhdojnë të përballen me probleme të herëpashershme në qasje.
Ndërkohë, ekspertët e sigurisë kibernetike u kanë bërë thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes ndaj mashtrimeve online që mund të shfrytëzojnë situatën e krijuar nga kjo ndërprerje.
