Kërkohet fond garantues për mbrojtjen financiare të fermerëve të qumështit

3 orë

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa për mbrojtjen financiare të fermerëve të qumështit, duke kërkuar garanci për pagesat ndaj tyre dhe ndryshime ligjore që parandalojnë vonesat dhe borxhet nga qumështoret.

Sipas SHQK-së, gjatë vitit 2026 fermerët e qumështit në Kosovë janë përballur me teprica të prodhimit, ulje të çmimeve, refuzim të grumbullimit dhe vështirësi në arkëtimin e pagesave për qumështin e dorëzuar.

Nga kjo shoqatë theksojnë se, edhe pse problemet me tepricat dhe grumbullimin janë zgjidhur, borxhet për qumështin e dorëzuar vazhdojnë të mbeten shqetësim për fermerët.

SHQK vlerëson se vonesat në pagesa rrezikojnë vazhdimësinë e fermave, pasi shpenzimet për ushqimin e kafshëve, pagat dhe këstet e kredive nuk mund të shtyhen.

Në kërkesat drejtuar Qeverisë, shoqata ka propozuar zbatimin më efektiv të ligjeve ekzistuese për kamatëvonesat, procedurat përmbarimore dhe falimentimin, si dhe plotësimin e bazës ligjore për mbrojtjen e fermerëve.

Ndër propozimet kryesore janë përcaktimi i një afati maksimal ligjor prej 30 ditësh për pagesën e qumështit të freskët, obligimi për lidhjen e kontratave me shkrim dhe vendosja e mekanizmave të garancisë financiare.

Po ashtu, SHQK kërkon shqyrtimin e krijimit të një fondi garantues ose mekanizmi sigurimi, i cili do t’i mbronte fermerët në rastet kur qumështoret përballen me paaftësi paguese.

Shoqata ka kërkuar gjithashtu krijimin e një grupi ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit, për të vlerësuar zbatimin e ligjeve aktuale dhe për të përgatitur ndryshimet e nevojshme ligjore.

“Fermerët nuk duhet të mbajnë barrën financiare të borxheve të industrisë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.