Identifikohen përmes ADN-së tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

1 orë

Tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve, Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, pas zhvarrosjes së mbetjeve mortore në Kalludër dhe Jabukë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave është bërë identifikimi i tre personave.

Sipas Kurtit, Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti ishin intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni Qeveritar, së bashku me institucionet përkatëse, tashmë i ka njoftuar familjet e tyre për identifikimin.

Kurti ka shprehur ngushëllimet për familjet, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Ai gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, duke akuzuar Serbinë për vazhdimin e mohimit dhe fshehjes së tyre, si dhe për mbylljen e dokumenteve dhe arkivave që lidhen me këtë periudhë.