ATK rikujton punëdhënësit: 31 tetori, afati i fundit për regjistrimin e punëtorëve në sistemin EDI

26.10.2026

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë punëdhënësit se afati për plotësimin dhe deklarimin e të dhënave të punëtorëve në Sistemin Elektronik EDI përfundon më 31 tetor 2026.

Regjistrimi realizohet përmes Sistemit Elektronik EDI, duke plotësuar formularin përkatës për secilin punëtor, me të dhëna të plota, të sakta dhe në përputhje me gjendjen faktike të punësimit.

ATK ka theksuar se përmbushja e këtij detyrimi është e rëndësishme për zbatimin e legjislacionit tatimor, si dhe për mbajtjen e të dhënave të sakta dhe të përditësuara për të punësuarit.

Njëkohësisht, institucioni u ka bërë thirrje punëdhënësve që të mos e lënë këtë proces për ditën e fundit, duke paralajmëruar se mosplotësimi dhe mosdeklarimi i të dhënave mund të sjellë masa sipas legjislacionit në fuqi.

Për lehtësimin e procesit, punëdhënësit mund të shfrytëzojnë edhe udhëzuesin për plotësimin e formularit të regjistrimit të punëtorëve, i cili është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI.

Afati përfundimtar për përmbushjen e këtij detyrimi është 31 tetori 2026.