MASh hap konkurset për bursa të doktoratës dhe postdoktoratës

20.10.2026

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka hapur konkurset për mbështetje financiare të studentëve të doktoratës dhe kërkuesve shkencorë, përfshirë studimet brenda dhe jashtë vendit, si dhe hulumtimet postdoktorale jashtë vendit.

Mbështetja financiare ofrohet përmes tri skemave të bursave, në përputhje me Programin Kombëtar të Shkencës, me synim zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe avancimin e shkencës në Kosovë.

Sipas njoftimit të ministrisë, bursat ndahen në këto kategori:

• 3,000 euro për studime të doktoratës brenda vendit;

• 8,500 euro për studime të doktoratës jashtë vendit;

• 10,000 euro për hulumtime postdoktorale jashtë vendit.

Përmes këtyre konkurseve, MASh po ofron për herë të parë mbështetje të dedikuar financiare për studentët që ndjekin studimet e doktoratës në institucionet vendore.

Ministria synon që përmes kësaj nisme të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin akademik dhe profesional të studiuesve të rinj, të nxisë përsosmërinë shkencore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe të rrisë cilësinë e kërkimit shkencor në vend.

Fuqizimi i hulumtimit dhe inovacionit në institucionet e arsimit të lartë pritet të jetë gjithashtu pjesë e rëndësishme e Strategjisë së re për Arsim 2035+, me synim që universitetet të kenë rol më të madh në zhvillimin e vendit dhe në përmbushjen e prioriteteve shtetërore.

MASh u ka bërë thirrje kandidatëve të interesuar që t’i shqyrtojnë kriteret dhe kushtet e aplikimit dhe të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara në konkurset përkatëse.

Dokumentacioni i plotë dhe kushtet e aplikimit janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës:

https://mash.rks-gov.net/alldocuments/thirrje-per-mbeshtetje-financiare-per-kerkime-postdoktorale/