Bizneset mund të marrin pagesat nga Thesari pas 60 ditësh vonesë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, i cili synon të rregullojë afatet e pagesave dhe të forcojë mbrojtjen e bizneseve ndaj vonesave në pagesa.
Sipas projektligjit, palët duhet të përcaktojnë me kontratë afatin për pagesë, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 60 ditë.
Projektligji parasheh edhe të drejtën për kamatëvonesë. Në rastet kur kreditori i ka përmbushur detyrimet e tij, ndërsa pagesa nuk është kryer me kohë, ai mund të kërkojë kamatëvonesë pa pasur nevojë për rikujtim.
Kur kontrata nuk përcakton një datë të pagesës, e drejta për kamatëvonesë, në rrethana të caktuara, lind pas 30 ditësh nga pranimi i faturës ose nga pranimi i mallrave apo shërbimeve.
Përveç kamatëvonesës, kreditori mund të përfitojë edhe një shumë minimale prej 40 eurosh për kompensimin e shpenzimeve të mbuluara.
Një tjetër ndryshim lidhet me pagesat që autoritetet publike u kanë borxh bizneseve.
Nëse një faturë nuk paguhet për më shumë se 60 ditë, biznesi mund ta dorëzojë faturën në Thesar. Pas pranimit, Thesari mund të nisë hetim dhe, nëse konstaton se pretendimi është i bazuar, ta kryejë pagesën bashkë me kamatëvonesën pa miratimin paraprak të autoritetit publik përkatës.
Projektligji parasheh edhe masa ndëshkuese. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të ketë kompetencë për mbikëqyrjen e këtyre transaksioneve dhe mund të shqiptojë gjoba deri në 20 mijë euro ndaj shoqërive tregtare që nuk përmbushin detyrimet monetare.
Gjoba parashihen edhe për personat përgjegjës kur debitori është autoritet publik.
