BE-ja kundërshton ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara të Kosovës
Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), BE-ja vlerëson se ligji i miratuar “shkon kundër obligimeve ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”.
BE-ja ka theksuar se vazhdon ta mbështesë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015 dhe i përfshirë në sistemin juridik e Kushtetutën e Kosovës.
“Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka bërë thirrje që Kosova t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare, duke garantuar pavarësinë e Dhomave të Specializuara, përgjegjësinë penale individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Po ashtu, BE-ja ka kërkuar që të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.
