Hapet thirrja për Programin Fulbright për studentët e doktoratës, aplikimet deri më 31 tetor

14.09.2026

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se është hapur thirrja për aplikim në Programin Fulbright për Kërkime Shkencore për Studentë të Doktoratës për vitin akademik 2027-2028.

Përmes këtij programi, studentëve të doktoratës nga Kosova u mundësohet të zhvillojnë kërkime shkencore në një universitet amerikan, si pjesë e studimeve të tyre të doktoratës.

Granti zgjat nga tre deri në shtatë muaj dhe mbulon shkollimin dhe tarifat universitare, shpenzimet mujore të jetesës, sigurimin shëndetësor si dhe udhëtimin ndërkombëtar.

Programi financohet bashkërisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve bëhet përmes një procesi të hapur, konkurrues dhe të bazuar në meritë.

Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Republikës së Kosovës të regjistruar në programe të doktoratës në Kosovë ose jashtë vendit. Përparësi do t’u jepet kandidatëve që ndjekin studimet e doktoratës në universitetet e Kosovës.

Aplikantët duhet të kenë njohuri të mira të gjuhës angleze dhe të plotësojnë kushtet për marrjen e vizës J-1. Një nga kushtet e kësaj vize është kthimi dhe qëndrimi në Kosovë për së paku dy vjet pas përfundimit të grantit.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash studimi, ndër të tjera arsimin, shkencat kompjuterike, inxhinierinë, ekonominë, drejtësinë, shkencat politike, psikologjinë, sociologjinë, shkencat biologjike, matematikën, komunikimin dhe gazetarinë.

Në kuadër të aplikimit, kandidatët duhet të dorëzojnë objektivat e kërkimit, deklaratën personale, përgjigjet e kërkuara në seksionin “Study Plan”, së paku tri referenca profesionale, transkriptet dhe diplomat akademike, dëshminë për statusin aktual akademik si dhe kopjen e pasaportës.

Kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen edhe testit TOEFL gjatë procesit të përzgjedhjes. Dokumentet që nuk janë të lëshuara në gjuhën angleze duhet të shoqërohen me përkthim zyrtar në anglisht.

Afati i fundit për aplikim është 31 tetor 2026.Aplikimi bëhet online përmes platformës së Programit Fulbright.

Për informata shtesë, kandidatët mund të kontaktojnë United States-Kosovo Educational Exchange Board (USKEB) përmes emailit [email protected] ose në numrin +383 (0) 38 226 255.

https://mash.rks-gov.net/wp-content/uploads/2026/09/Konkursi-i-Programit-Fulbright-per-Kerkime-Shkencore-per-Studente-te-Doktorates-per-vitin-akademik-2027-2028_Versioni-ne-gjuhen-Shqipe.pdf?