SHBA-ja godet ishullin Larak në Iran, Teherani paralajmëron hakmarrje

30.08.2026

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulm ajror ndaj ishullit Larak, në jug të Iranit, në atë që paraqet sulmin e parë amerikan ndaj territorit iranian që nga fundi i korrikut.

Sipas një zyrtari amerikan, sulmet kishin në shënjestër lëshues raketash që dyshohej se po përgatiteshin për të hedhur mina drejt Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike të transportit të naftës në botë.

Garda Revolucionare Islamike konfirmoi sulmin, duke thënë se disa ushtarë u vranë dhe u plagosën. Garda Revolucionare e cilësoi sulmin si veprim të “armikut amerikano-sionist” dhe paralajmëroi se do të ketë kundërpërgjigje.

Sulmi rrit frikën për rikthimin e përshkallëzimit ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit, në një kohë kur Uashingtoni është fokusuar gjithnjë e më shumë në sanksione dhe presion financiar ndaj Teheranit.

Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të konfliktit. SHBA-ja pretendon se po siguron kalimin e miliona fuçive të naftës përmes saj, ndërsa Irani vazhdon të deklarojë se rruga ujore është e mbyllur. Ndërkohë, raportohen sulme pothuajse të përditshme ndaj anijeve në këtë zonë.

Irani në të kaluarën u është përgjigjur sulmeve amerikane duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake ku janë të dislokuar trupa amerikane në vendet fqinje.