Vuçiq: “Pa Listën Serbe, nuk do të ketë serbë në Kosovë”

19.08.2026

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “atë ditë që nuk do të jetë Lista Serbe, nuk do të ketë as serbë në Kosovë”, duke e lidhur praninë dhe përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë me subjektin politik që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Siç raporton Telegrafi, transmeton SuharekaOnline, Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë vizitës së tij në Kurshumli, ku tha se me “Listën Serbe” nuk nënkupton vetëm subjektin politik, por një forcë që, sipas tij, përfaqëson Beogradin, Serbinë dhe popullin serb në Kosovë.

“Rashiqi dhe ndihmësit e tij do të mbeten. Kur them Lista Serbe, nuk kam parasysh Listën Serbe, por dikë që përfaqëson Beogradin dhe Serbinë, ndër të tjera, dhe popullin serb në tërësi në Kosovë”, u shpreh ai.

Deklarata është interpretuar si përjashtuese ndaj serbëve që nuk e mbështesin Listën Serbe ose që kanë qëndrime të ndryshme politike nga Beogradi, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si përfaqësohet komuniteti serb në Kosovë.

Vuçiq foli gjithashtu për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke bërë të ditur se do t’i dërgojë një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me këtë çështje.