Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, nga vendi i 54 në majën e klasifikimit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ka arritur në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë.
Foto: Ilustrim
Në një reagim të gjatë në Facebook, Rama e ka cilësuar këtë arritje si rezultat të transformimit të sigurisë kibernetike të vendit pas sulmit të madh kibernetik të korrikut të vitit 2022, të cilin ai ia atribuon regjimit iranian.
Sipas Ramës, Shqipëria në vitin 2023 renditej në vendin e 54-të, ndërsa në vitin 2025 ishte ngjitur në vendin e 15-të. Ai thotë se forcimi i kapaciteteve institucionale, ndërtimi i një arkitekture të re të mbrojtjes kibernetike dhe bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë kanë ndikuar në këtë progres.
Rama ka veçuar edhe bashkëpunimin me partnerët izraelitë dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sistemet e mbrojtjes kibernetike, duke thënë se Shqipëria tashmë synon të parandalojë sulmet, në vend që vetëm të reagojë pas ndodhjes së tyre.
“Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, ka shkruar Rama.
Megjithatë, sipas të dhënave aktuale të publikuara nga vetë NCSI, Shqipëria renditet në vendin e 13-të me 91.67 pikë, ndërsa vendin e parë e mban Çekia me 98.33 pikë.
Në vitin 2023, Shqipëria ishte në vendin e 54-të me 62.34 pikë, çka tregon një përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e saj në indeksin e sigurisë kibernetike.

