Përshkallëzohet konflikti, SHBA nis sulme hakmarrëse ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ushtarake ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj një tentative të raportuar për sulm mbi forcat amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas një raportimi të BBC, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se operacioni është një “përgjigje e fuqishme” ndaj sulmeve të së martës kundër bazave amerikane në Jordani dhe anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ishte paralajmëruar për kundërpërgjigjen, duke thënë se “tani është radha jonë të godasim” dhe se sulmet do të jenë të ashpra.
Sipas BBC, përshkallëzimi vjen një ditë pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak. Konflikti, i cili nisi pesë muaj më parë, po vazhdon pavarësisht përpjekjeve të fundit për rifillimin e bisedimeve diplomatike, të cilat Uashingtoni i përshkroi si pozitive, ndërsa Teherani mohoi se negociata të tilla kishin ndodhur.
