Ndërtimi mbetet sektor kyç në Kosovë, industria gjeneron 22.8% të vlerës së shtuar
Kosova renditet ndër vendet me peshën më të lartë të sektorit të ndërtimit në Evropë, ndërsa industria vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
Sipas një analize të publikuar nga Buletini Ekonomik, bazuar në të dhënat e Eurostat për vitin 2024, ndërtimi përbën rreth 10 për qind të vlerës së shtuar bruto në Kosovë, duke e renditur vendin të dytin në Ballkanin Perëndimor dhe ndër të parat në Evropë, pas Shqipërisë, ku sektori i ndërtimit zë rreth 13.8 për qind.
Në Kosovë, industria gjeneron 22.8 për qind të vlerës së shtuar bruto, një ndër nivelet më të larta në rajon. Ndërkohë, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore përbëjnë rreth një të katërtën e ekonomisë.
Bujqësia ka një peshë prej rreth 9.3 për qind, ndërsa sektorët e informacionit dhe komunikimit, financave dhe shërbimeve profesionale mbeten më pak të zhvilluara krahasuar me disa vende të tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Evropian.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dallohet për peshën më të lartë të ndërtimit, ndërsa Serbia për një sektor të fuqishëm të teknologjisë së informacionit. Mali i Zi ka një ekonomi më të orientuar drejt tregtisë dhe turizmit, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë struktura më të balancuara dhe një bazë të konsiderueshme industriale.
Sipas Buletinit Ekonomik, pesha e lartë e ndërtimit në Kosovë dhe Shqipëri tregon për rëndësinë e investimeve në këtë sektor, por njëkohësisht nënvizon nevojën për diversifikimin e ekonomisë dhe zhvillimin e sektorëve me produktivitet më të lartë, veçanërisht teknologjisë, shërbimeve profesionale dhe industrive të orientuara drejt eksporteve.
