Inspektorati i Punës paralajmëron punëdhënësit: Kujdes i shtuar për sigurinë gjatë motit të paqëndrueshëm
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve në Kosovë që të ndërmarrin masa të shtuara për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve, pas paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim.
Në njoftimin e publikuar më 21 korrik 2026, Inspektorati, duke u bazuar në informacionet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka kërkuar që punëdhënësit, veçanërisht ata që operojnë në sektorë me rrezikshmëri të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e punëmarrësve.
Punëdhënësit janë këshilluar që të kryejnë kontrolle të pajisjeve dhe mjeteve të punës, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar sektorit të ndërtimtarisë.
Sipas Inspektoratit, kompanitë e ndërtimit duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rrezikimit të jetës së punëtorëve.
Inspektorati Qendror i Punës ka apeluar te punëdhënësit që të tregojnë përgjegjësi dhe të zbatojnë masat e sigurisë në punë, veçanërisht gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.
