Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës
17.07.2026
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme për qarkullimin e automjeteve të rënda në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit, ndalohet qarkullimi i automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Ministria ka bërë të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, pasi kushtet e përcaktuara me vendim nuk janë plotësuar.
Autoritetet theksojnë se do të vazhdojnë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do të informojnë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim në zbatimin e këtij vendimi.
