Donika Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj Snezhana Paunoviqit
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj Snezhana Paunoviqit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Gërvalla njoftoi se, në cilësinë e ministres së Drejtësisë, ka kërkuar nga Prokuroria që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe të procedojë rastin me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga gjykata kompetente.
Në reagimin e saj, ajo rikujtoi krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për to.
“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10 mijë civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20 mijë gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100 mijë shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo shtoi se këto ishin pasojat e një fushate sistematike të gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor.

