Publikohen rezultatet e mbështetjes financiare për studentet në fushat STEM
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e konkursit për ndarjen e mbështetjes financiare për studentet vajza/gra të regjistruara për herë të parë në vitin akademik 2025/2026 në programet e fushave të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).
Pas shqyrtimit të aplikimeve nga komisioni përkatës, janë përzgjedhur gjithsej 599 studente përfituese, të cilat kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkurs.
Po ashtu, është publikuar edhe lista e aplikimeve të refuzuara, së bashku me arsyet e refuzimit për secilin rast.
Ministria ka njoftuar se të gjitha palët e pakënaqura me rezultatet kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Komisionin për Ankesa brenda shtatë (7) ditëve të punës nga data e publikimit të rezultateve.
Listat e plota të përfitueseve dhe aplikimeve të refuzuara janë të publikuara në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
