Mbi 161 mijë punëtorë në Kosovë ende me paga nën 500 euro

09.07.2026

Pavarësisht rritjes së pagës minimale në Kosovë, mbi 161 mijë punëtorë vazhdojnë të kenë të deklaruara paga bruto nën 500 euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas ATK-së, gjithsej 161 mijë e 892 punëtorë rezultojnë me paga bruto nën nivelin prej 500 eurosh, ndërsa mbi 50 mijë prej tyre kanë të deklaruar pagë bruto prej 425 eurosh, sipas të dhënave të fundit.

Sindikatat kanë ngritur shqetësimin për nivelin e ulët të pagave, duke thënë se një pjesë e punëtorëve, veçanërisht në sektorin teknik dhe shërbimet mbështetëse në institucione publike, vazhdojnë të paguhen me shuma nën nevojat bazë të jetesës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se ka punëtorë që marrin paga prej 237 dhe 292 eurosh, duke kërkuar respektim të ligjit dhe rritje të mëtejshme të pagave.

Nga ATK kanë bërë të ditur se janë identifikuar raste kur punëdhënësit nuk kanë deklaruar pagat reale të punëtorëve ose nuk kanë respektuar pagën minimale të përcaktuar me ligj. Për këto raste, institucioni ka paralajmëruar masa që përfshijnë korrigjimin e deklarimeve, rivlerësimin e detyrimeve tatimore dhe shqiptimin e gjobave.

Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve kanë vlerësuar se rritja e pagës minimale ka ndihmuar punëtorët, por ka krijuar vështirësi për disa biznese të vogla për shkak të kostove më të larta operative.

Paga minimale në Kosovë u rrit fillimisht në 425 euro në janar të këtij viti, ndërsa nga 1 korriku arriti në 500 euro. Sektorët më të prekur nga kjo rritje janë industria ushqimore, tregtia me pakicë, ndërtimtaria dhe shërbimet personale.