Dogana: Pretendimet për rastin e derivateve janë dezinformuese dhe të pavërteta
Dogana e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media ndaj deklaratave publike të bëra në ditët e fundit lidhur me rastin e hetimit dhe arrestimit të nëntë personave të dyshuar për krim të organizuar në sektorin e derivateve të naftës, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe dezinformuese.
Sipas Doganës, institucioni ka qenë pjesë e ekipit të përbashkët hetimor që nga fazat e para të rastit, me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në komunikatë thuhet se dërgesa e parë e dyshuar është ndaluar në nëntor të vitit 2024, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale, duke shënuar fillimin e hetimeve të koordinuara.
Dogana rikujton gjithashtu se që nga maji i vitit 2021 kontrolli laboratorik i cilësisë së derivateve kryhet në laboratorin e saj, duke theksuar se ky sistem ka kursyer rreth 1.5 milion euro në shpenzime për analiza laboratorike dhe funksionon në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin e Kosovës.
Institucioni ka hedhur poshtë pretendimet e bëra në emisionin “Debat Plus”, nga portali Vox dhe raportime të ngjashme, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të motivuara nga interesa private. Dogana thekson se do të vazhdojë të mbrojë integritetin institucional dhe se çdo përpjekje për ta dëmtuar përmes shpifjeve do të trajtohet me mjetet ligjore në fuqi.
Në fund, Dogana e Kosovës rithekson përkushtimin për transparencë, mbrojtjen e interesit publik, sigurinë e konsumatorëve dhe zbatimin e ligjit, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave.
