Serwer: Kosova të vendosë për gazin amerikan sipas interesave të saj strategjike
Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Kosova duhet të marrë vendim për projektin e gazit amerikan duke u bazuar në interesat e saj strategjike, pavarësisht interesimit të Shteteve të Bashkuara për realizimin e këtij projekti.
Në një intervistë për KosovaPress, Serwer tha se gazi amerikan është i kushtueshëm, por shtoi se e kupton interesin e SHBA-së për një marrëveshje të tillë. Sipas tij, Prishtina duhet të zhvillojë bisedime me Uashingtonin, por vendimi përfundimtar duhet të merret në funksion të interesave të Kosovës.
Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vučić, për Milan Radoičić, Serwer u shpreh se ka besim në sistemin gjyqësor dhe vlerësoi se komentet e Vuçiqit janë të motivuara politikisht. Ai tha se autorët e sulmit në Banjskë duhet të përballen me drejtësinë.
Sa i përket krizës institucionale në Kosovë, Serwer tha se vendi ka humbur kohë të çmuar për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe proceseve të zgjatura zgjedhore. Ai theksoi se është koha që institucionet e Kosovës të dëshmojnë funksionalitetin e tyre përmes zgjedhjes së presidentit dhe formimit të një qeverie të re.
