LDK në Suharekë: Aktakuzat dëshmojnë dështimin e qeverisjes lokale
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Komunën e Suharekës.
Lidhur me këtë zhvillim, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Suharekë, ka reaguar duke theksuar se këto raste përbëjnë konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej vitesh nga ana e tyre në debate publike dhe në Kuvendin Komunal.
Sipas LDK-së, qeverisja lokale dhe rrethi i ngushtë drejtues janë përballur me akuza të përsëritura që, sipas tyre, tregojnë për një model qeverisjeje të orientuar më shumë nga interesa klienteliste sesa nga interesi publik.
Në reagim thuhet se mënyra e ushtrimit të pushtetit në komunë ka ngritur vazhdimisht dyshime për shkelje ligjore, ndërsa aktakuza e fundit vlerësohet si një tjetër zhvillim që “hedh dritë mbi mënyrën e menaxhimit të institucioneve lokale”.
LDK në Suharekë thekson se do të vazhdojë të ndjekë dhe adresojë çdo rast që, sipas saj, cenon ligjshmërinë dhe interesin e qytetarëve, duke kërkuar llogaridhënie dhe respektim të plotë të ligjit në institucionet komunale.
