Rudolph pret në takim Arian Gashin, vlerësohet bashkëpunimi në drejtësi

29.06.2026

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, është pritur në një takim nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolph, ku u diskutua për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe avancimin e sistemit prokurorial në Kosovë.

Gjatë takimit, palët u ndalën te rezultatet e vizitës zyrtare të Gashit në Gjermani, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave profesionale për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë në vend.

Në takim u vlerësua edhe bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ambasadës së Gjermanisë, me zotimin për ta thelluar partneritetin në ngritjen e kapaciteteve profesionale, mbështetjen e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kryesuesi Gashi falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, ndërsa ambasadori Rudolph rikonfirmoi përkrahjen e shtetit gjerman për reformat, ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.