Shqipëria ndryshon rregullat e kalimit kufitar, procedura më të rrepta për të miturit
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar një paketë të re rregullash për procedurat e kalimit në pikat kufitare, duke përafruar legjislacionin me Kodin e Kufijve Shengen të Bashkimit Evropian.
Ndryshimet parashikojnë masa më të rrepta për udhëtimin e të miturve jashtë vendit. Fëmijët nën moshën 16 vjeç do të mund të udhëtojnë vetëm të shoqëruar nga një person madhor dhe me deklaratë noteriale të nënshkruar nga të dy prindërit ose kujdestari ligjor. Ndërsa të rinjtë nga 16 deri në 18 vjeç mund të udhëtojnë edhe të pashoqëruar, por duhet të kenë deklaratë noteriale ku përcaktohet destinacioni dhe garantohen kushtet e qëndrimit.
Policia Kufitare do të ketë kompetenca të zgjeruara për të ndaluar kalimin e të miturve në rast dyshimesh për rrëmbim, trafikim apo largim pa pëlqimin e prindërve, duke kryer verifikime dhe intervista shtesë kur është e nevojshme.
Vendimi parashikon gjithashtu procedura të përshpejtuara për zyrtarët e lartë shtetërorë, mbajtësit e pasaportave diplomatike, personelin e NATO-s, BE-së, OKB-së, si dhe ekipet e emergjencës dhe kërkim-shpëtimit.
Po ashtu, janë standardizuar kontrollet kufitare sipas llojit të transportit. Pasagjerët e automjeteve private do të qëndrojnë në makinë gjatë kontrollit, autobusët do t’i nënshtrohen verifikimit individual në terminale, ndërsa për tragetet, avionët dhe trenat janë përcaktuar procedura të veçanta për të shmangur vonesat dhe për të rritur sigurinë.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa Policia e Shtetit do të përditësojë sistemet elektronike dhe procedurat e kontrollit në të gjitha pikat kufitare.
