IKSHPK me këshilla për qytetarët: Kujdesuni nga temperaturat e larta

28.06.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të ngritura, duke u rekomanduar qytetarëve të marrin masa për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Përmes një njoftimi, IKSHPK ka këshilluar që gjatë periudhave me nxehtësi të madhe qytetarët të konsumojnë ujë shpesh, të ushqehen me ushqime të lehta dhe të freskëta, si dhe të shmangin pijet alkoolike dhe ato me përmbajtje të lartë sheqeri.

Po ashtu, rekomandohet veshja me rroba të lehta dhe freskimi i trupit me ujë për të përballuar më lehtë temperaturat e larta.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të veçantë, veçanërisht personat e moshuar, fëmijët dhe ata me probleme shëndetësore kronike, të cilët janë më të rrezikuar gjatë valëve të të nxehtit.