Shqipëria miraton rregulla të reja për bastet online, parashihen pezullim dhe heqje licence

27.06.2026

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar procedurat e reja për pezullimin dhe revokimin e licencave të operatorëve të basteve sportive online, duke përcaktuar rregulla më të qarta për mbikëqyrjen e këtij sektori.

Sipas vendimit, licencat mund të pezullohen ose të revokohen në rastet e mosrespektimit të kushteve të licencimit, mospagimit të detyrimeve financiare apo përsëritjes së shkeljeve të parashikuara me ligj.

Procedurat do të iniciohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) ose Komisioni i Licencave, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë ministri përgjegjës për Financat. Operatorëve u garantohet e drejta për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur argumentet e tyre përpara se të merret masa.

Vendimi parashikon që licenca mund të pezullohet për një periudhë nga 30 ditë deri në dy vjet, gjatë së cilës operatori nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë aktivitetin. Po ashtu, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet një komision ad-hoc për shqyrtimin e rasteve, ndërsa subjektet do të kenë të drejtën e ankimit në gjykatë ndaj çdo vendimi.