Hapet rruga ligjore për depozitimin e mbeturinave: KMDK pranon mbeturina nga qytetarët
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se për herë të parë qytetarëve të Kosovës u mundësohet dorëzimi i mbeturinave në deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka deklaruar se kjo nismë është pjesë e aksioneve për pastrimin e vendit dhe synon krijimin e një sistemi më të rregullt për menaxhimin e mbeturinave, duke parandaluar hedhjen e tyre në vende ilegale.
Sipas saj, qytetarët tashmë kanë mundësi t’i dorëzojnë mbeturinat në mënyrë të ligjshme në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë.
Pranimi i mbeturinave do të bëhet çdo të shtunë nga ora 08:00 deri në 16:00, me tarifë prej 10.31 euro për ton, ndërsa pagesa do të kryhet vetëm përmes kartelës bankare.
Ministrja ka njoftuar se në deponi do të lejohen vetëm automjetet e përshtatshme për transport të mbeturinave, si traktorët, kamionetat dhe kamionët, ndërsa ngarkesat do të kontrollohen para pranimit.
Ajo ka theksuar se hedhja e mbeturinave jashtë vendeve të autorizuara nuk do të tolerohet dhe se institucionet do të zbatojnë masat ndëshkuese ndaj shkelësve.
“Qëllimi është eliminimi i deponive ilegale dhe krijimi i një mjedisi më të pastër për qytetarët”, ka bërë të ditur Pacolli në njoftimin e saj.
