Hidroregjioni Jugor apelon për kursimin e ujit, paralajmëron masa nëse vazhdon keqpërdorimi

22.06.2026

K.R.U. “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. Prizren u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë ujin e pijshëm dhe ta përdorin atë në mënyrë racionale, për shkak të rritjes së temperaturave dhe shtimit të ndjeshëm të konsumit gjatë sezonit veror.

Kompania njofton se uji i pijshëm duhet të shfrytëzohet vetëm për nevoja higjieno-sanitare, duke kërkuar që të shmanget përdorimi i tij për ujitjen e kopshteve dhe sipërfaqeve bujqësore, larjen e rrugëve, trotuareve dhe aktivitete të tjera që ndikojnë në rritjen e panevojshme të konsumit.

Sipas njoftimit, pavarësisht se kompania po operon me kapacitet maksimal dhe furnizimi deri më tani ka qenë i qëndrueshëm, kërkesa e lartë gjatë verës po vështirëson ruajtjen e furnizimit të rregullt për të gjithë konsumatorët.

“Hidroregjioni Jugor” ka paralajmëruar se, nëse vazhdon trendi i konsumit të pakontrolluar, mund të detyrohet të aplikojë masa të përkohshme të reduktimit të furnizimit me ujë, me qëllim të menaxhimit të drejtë të resurseve ujore.

Njëkohësisht, ekipet e kompanisë në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal do të intensifikojnë kontrollet në terren, ndërsa rastet e keqpërdorimit të ujit do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi dhe do të shoqërohen me masa ndëshkimore.

Kompania ka ftuar gjithashtu konsumatorët që të kryejnë me rregull pagesat e faturave mujore, duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në ruajtjen e një furnizimi të qëndrueshëm me ujë për të gjithë.