Studentët serbë pas vizitës në Kosovë: Realiteti është ndryshe nga ai që na është paraqitur
Një grup studentësh nga Serbia, në kuadër të iniciativës “Studentët në çdo fshat”, kanë vizituar Kosovën dhe kanë ndarë përshtypjet e tyre për jetën dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Njëri nga pjesëmarrësit, Mihailo Markoviq, student i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd, deklaroi se vizita ka ndikuar në ndryshimin e disa bindjeve të tij të mëhershme.“Folëm me shqiptarë dhe u rrëzuan shumë paragjykime që kishim. Njerëzit jetojnë normalisht dhe situata është më ndryshe nga ajo që na është paraqitur,” u shpreh ai në një intervistë për mediat serbe.
Sipas studentëve, kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët në Kosovë u kanë mundësuar të krijojnë një pasqyrë më reale për jetën e përditshme dhe bashkëjetesën mes komuniteteve. Deklaratat e tyre kanë nxitur debat në opinionin publik serb, ku një pjesë e kanë vlerësuar vizitën si hap drejt dialogut dhe njohjes së realitetit në terren, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar atë për arsye politike.
Studentët kanë bërë të ditur se aktivitetet e tyre do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me vizita të tjera në rajon, me synimin për të njohur nga afër realitetin social dhe për të nxitur komunikimin mes komuniteteve.
