“LDK duhet t’i kthehet LDK-së”, Agim Veliu kërkon përgjegjësi pas rezultatit zgjedhor

18.06.2026

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kritikuar udhëheqjen aktuale të partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike për rezultatin zgjedhor.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Veliu ka deklaruar se rezultati i LDK-së nuk mund të paraqitet si sukses përmes interpretimeve të ndryshme, duke theksuar se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë.

Ai ka drejtuar kritika ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe figurave që sipas tij kanë udhëhequr projektin politik të partisë në periudhën e fundit.

Veliu ka thënë se janë shpërfillur paralajmërimet e aktivistëve dhe figurave të LDK-së për mënyrën e funksionimit të brendshëm të partisë, centralizimin e vendimmarrjes dhe largimin nga baza tradicionale elektorale.

“Kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, ka shkruar Veliu, duke kërkuar një proces të rregullt dhe transparent zgjedhor brenda partisë.Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për ndryshime konkrete dhe rikthim të demokracisë së brendshme, duke u hapur rrugë figurave që gëzojnë mbështetje më të gjerë.

Në fund të reagimit, Veliu ka bërë thirrje që partia të rikthehet te identiteti i saj tradicional, duke shkruar: “LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj”.