64 ndeshje falas në RTK, Telekomi i Kosovës sjell qasje të gjerë në Botërorin 2026

15.06.2026

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka siguruar të drejtat ekskluzive të transmetimit të Kupës së Botës FIFA 2026 për territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar qasje të gjerë për qytetarët përmes disa platformave transmetimi.

Sipas komunikatës zyrtare, 64 nga gjithsej 104 ndeshje të turneut do të transmetohen pa pagesë shtesë për publikun përmes Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke e bërë pjesën më të madhe të garës të qasshme pa kufizime financiare.

Po ashtu, mbi 20,000 klientë të shërbimeve fikse të Telekomit të Kosovës do të kenë mundësi të ndjekin të gjitha ndeshjet pa pagesë shtesë, si pjesë e pakove ekzistuese të shërbimeve.Për 40 ndeshjet ekskluzive, kompania ka ofruar një model të hapur qasjeje përmes platformës TV Vala, me një pagesë të vetme prej 20 eurosh për të gjithë turneun.

Kjo ofertë është e disponueshme për të gjithë përdoruesit e internetit në Kosovë, pavarësisht operatorit që përdorin.Telekomi i Kosovës ka theksuar gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim me operatorët e tjerë në treg, duke u mundësuar atyre integrimin e përmbajtjes në platformat e tyre përkatëse.

Në deklaratë theksohet se kombinimi i transmetimeve publike, qasjes për klientët ekzistues dhe ofertës së hapur synon të sigurojë që asnjë qytetar të mos mbetet pa mundësi për të ndjekur Kupën e Botës.

Kompania ka deklaruar se do të vazhdojë investimet në përmbajtje sportive dhe shërbime digjitale, me qëllim rritjen e qasjes dhe përmirësimin e përvojës së përdoruesve në Kosovë.