Trump shpall arritjen e marrëveshjes me Iranin, nënshkrimi të premten në Zvicër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me Iranin, duke e cilësuar atë si zhvillimin më të rëndësishëm diplomatik pas muajsh negociatash intensive.
Trump deklaroi se SHBA-ja do të heqë menjëherë bllokadën detare ndaj Iranit dhe do të lejojë rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, i cili ka luajtur rol kyç në ndërmjetësim, marrëveshja përfshin ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet. Ai bëri të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet më 19 qershor në Zvicër.
Megjithatë, autoritetet iraniane ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Trump ka bërë të ditur se dokumenti parashikon zotimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore, si dhe vazhdimin e negociatave gjatë 60 ditëve të ardhshme për të finalizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Njoftimi vjen në një moment tensionesh në Lindjen e Mesme, pasi presidenti amerikan kritikoi ashpër Izraelin për sulmin e fundit në Bejrut, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të rrezikojnë përpjekjet diplomatike për paqe.
