Gjykata Supreme shfuqizon ndalimin për xhamat e errësuar në automjete
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar disa dispozita të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin përdorimin e xhamave të errësuar në automjete.
Vendimi u mor pas padisë së ngritur nga OJQ-ja “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kërkuan shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të udhëzimit administrativ për regjistrimin e mjeteve.
Me aktgjykim, Gjykata Supreme shfuqizoi paragrafët 1, 3 dhe 4 të nenit 7, duke vlerësuar se ato vendosnin kufizime që nuk ishin të parashikuara me ligj. Sipas Gjykatës, organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për zbatimin e ligjit dhe jo për krijimin e ndalimeve të reja.
Në fuqi mbeti vetëm paragrafi 2, i cili rregullon evidentimin e xhamave të errësuar në dokumentacionin e regjistrimit të automjeteve.
Ky vendim hap rrugën që qytetarët të mund të vendosin xhama ose folie të errësuara në automjete, për sa kohë që ato plotësojnë standardet teknike dhe kalojnë procedurat e verifikimit të përcaktuara me ligj.
