Arrest shtëpiak për një anëtar të KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime

09.06.2026

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit A.D., i cili dyshohet për veprën penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”.

Sipas njoftimit të gjykatës, i dyshuari, në cilësinë e anëtarit të KQZ-së, më 7 qershor në qendrën e votimit në shkollën “Sharri” në Jabllanicë të Prizrenit, dyshohet se ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të zbrazëta, duke i shkëputur ato nga blloku i fletëvotimeve.

Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, por e konsideroi të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Sipas vendimit, arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurë dhe për të garantuar zhvillimin e papenguar të hetimeve.

I pandehuri nuk lejohet të largohet nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe i ndalohet kontaktimi me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij.

Në rast të shkeljes së kësaj mase, gjykata ka paralajmëruar se ajo mund të zëvendësohet me paraburgim.Gjykata theksoi se pretendimet e ngritura ndaj të pandehurit do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale.