400 shërbime të reja online për qytetarët, Jagxhiu prezanton eKosova 2.0

25.05.2026

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulezon Jagxhiu, ka prezantuar projektet dhe reformat kryesore të realizuara gjatë 100 ditëve të para të mandatit qeverisës, me fokus në avancimin e shërbimeve digjitale dhe modernizimin e administratës publike.

Jagxhiu bëri të ditur se gjatë kësaj jave nis zyrtarisht projekti “E-Kosova 2.0”, i cili do të përfshijë 400 shërbime të reja administrative, funksione të bazuara në inteligjencë artificiale dhe nivel më të lartë sigurie për përdoruesit.

Sipas tij, reforma e ofrimit të integruar të shërbimeve administrative, e bazuar në ngjarje jetësore, tashmë është zgjeruar nga Ferizaj dhe Gjilani edhe në Prishtinë, ndërsa pritet të shtrihet edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Ai njoftoi se gjatë muajit qershor do të fillojë zbatimi i shërbimeve të reja që lidhen me regjistrimin e vdekjes së një familjari, hapjen e biznesit dhe ndërrimin e adresës së banimit.Ministri paralajmëroi gjithashtu nisjen e zhvillimit të platformës qeveritare “all-of-government”, e cila synon integrimin e sistemeve të financave, burimeve njerëzore, pagave dhe legjislacionit në administratën publike.

Jagxhiu foli edhe për projektin COMPASS, të mbështetur nga World Bank, i cili do të ndihmojë digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Sipas tij, brenda tre viteve pritet të realizohen 14 komponentë të sistemit të informacionit shëndetësor.

Ai shtoi se tashmë është përfunduar faza e parë e katalogut shtetëror të të dhënave, ndërsa kanë nisur edhe proceset për platformën e re të interoperabilitetit dhe portalin e të dhënave të hapura, me synim rritjen e transparencës dhe përdorimin më efikas të inteligjencës artificiale në administratë.