⚠️ Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoba trafiku
Institucionet kanë paralajmëruar qytetarët për një fushatë të mesazheve mashtruese (SMS), përmes të cilave kërkohen pagesa të rreme kinse për gjoba në trafik.
Sipas njoftimit, qytetarëve po u dërgohen SMS nga numra ndërkombëtarë ose jashtë Kosovës, të cilat përmbajnë lidhje (URL) të dyshimta apo të shkurtuara dhe pretendojnë se automjeti i tyre është regjistruar nga radarë ose kamera të trafikut.
Në këto mesazhe kërkohet që qytetarët të kryejnë pagesa online për “gjobat”, duke vendosur të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta.Autoritetet kanë bërë të ditur se institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nuk dërgojnë SMS në lidhje me pagesa të gjobave në trafik.
Qytetarët këshillohen:
• të mos klikojnë në lidhjet e dërguara në SMS;
• të mos japin të dhëna personale apo bankare;
• të mos kryejnë pagesa përmes faqeve të panjohura.
Po ashtu, në rast se pranojnë mesazhe të tilla, qytetarët ftohen ta raportojnë rastin tek autoritetet përkatëse, ta fshijnë mesazhin dhe ta bllokojnë numrin dërgues.
