Komunat kërkojnë qartësi dhe respektim të kompetencave në rekrutimin publik
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur takimin e radhës të Kolegjiumit të Menaxherëve të Burimeve Njerëzore, ku morën pjesë menaxherë të burimeve njerëzore nga komunat e vendit, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë.
Në fokus të takimit ishin udhëzimet administrative që burojnë nga Rregullorja e re për procedurën e pranimit në shërbimin civil, me theks të veçantë në procedurat e intervistimit, organizimin e testit elektronik dhe rregullat për pozitat profesionale dhe specialistët.
Gjatë diskutimeve u theksua se udhëzimet ende ndodhen në fazë zhvillimi dhe harmonizimi, duke krijuar paqartësi në zbatimin praktik si për nivelin lokal ashtu edhe për atë qendror.
Përfaqësuesit komunalë ngritën shqetësime për mënyrën e zbatimit të testimit elektronik, standardizimin e intervistave, ndarjen e kompetencave ndërmjet niveleve të qeverisjes dhe nevojën për sqarime shtesë juridike dhe procedurale.
Në përfundim, u vlerësua se është e domosdoshme të vazhdojë koordinimi i ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave, me qëllim të përmirësimit të udhëzimeve dhe rritjes së qartësisë në zbatim.
Po ashtu u theksua rëndësia që komunat të përfshihen më aktivisht në procesin e konsultimit të akteve nënligjore, në mënyrë që të respektohet autonomia institucionale e tyre në raport me nivelin qendror.
