Policia e Kosovës sqaron kompetencat ligjore për kundërvajtjet dhe trafikun rrugor

06.05.2026

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media ku sqaron kompetencat e saj në zbatimin e ligjit për kundërvajtjet dhe rregullat e trafikut rrugor, pas disa raportimeve në media që kanë ngritur dilema mbi këtë çështje.

Sipas Policisë, ushtrimi i autoritetit për inicimin dhe shqiptimin e masave kundërvajtëse bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Kundërvajtje Nr. 05/L-087, i cili është në fuqi që nga viti 2017.

Po ashtu, theksohet se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se dispozitat përkatëse janë në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në komunikatë nënvizohet se çdo qytetar që nuk pajtohet me një gjobë apo masë të shqiptuar nga Policia ka të drejtë ankese në Gjykatën Themelore, Departamenti për Çështje Administrative, e cila ka kompetencë të plotë për shqyrtimin dhe anulimin e vendimeve.

Policia e Kosovës rithekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat e qytetarëve.