Kriza politike: Kosova mbetet jashtë SEPAs, mërgimtarët humbin miliona euro në transferta
Shqipëria ka përfituar tashmë nga sistemi SEPA, me rreth 2.2 miliardë euro transferta të realizuara dhe mbi 166 mijë transaksione vetëm në periudhën tetor–dhjetor, sipas Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, Kosova ende nuk është pjesë e kësaj zone pagesash evropiane, gjë që po e mban të lartë koston e transfereve ndërkombëtare për qytetarët dhe bizneset.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se procesi i anëtarësimit është vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike rreth paketës ligjore që lidhet me parandalimin e pastrimit të parave, e cila konsiderohet e domosdoshme për integrim në SEPA.
Sipas vlerësimeve të “German Economic Team”, përfshirja në SEPA do t’u kursente qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë mbi 50 milionë euro në vit, kryesisht nga ulja e tarifave për transferta bankare dhe lehtësimi i pagesave ndërkufitare.
Procesi pritet të mbetet temë e debatit institucional, ndërsa vendet e rajonit vazhdojnë të avancojnë në integrimin financiar evropian.
