MINT cakton tavanin e çmimeve për derivatet: Nafta 1.69 euro, Benzina 1.49 euro

03.05.2026

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka nxjerrë vendimin e ri për caktimin e çmimeve maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ky vendim, i datës 5 prill 2026, synon rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e pakontrolluara të çmimeve.

​Sipas njoftimit zyrtar, çmimi tavan për një litër naftë (dizel) është caktuar në 1.69 euro, ndërsa për benzinën limiti maksimal është 1.49 euro për litër.

Ndërkaq, produkti i gasit do të tregtohet me një çmim maksimal prej 0.84 euro për litër. Këto çmime hyjnë në fuqi çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit dhe do të mbeten valide për ditën e diel dhe të hënë.​

Ministria ka bërë të ditur se ky rregullim bazohet në vendimin paraprak për mbrojtjen e konsumatorëve dhe monitorimin e vazhdueshëm të tregut të naftës.

Operatorët ekonomikë janë të obliguar që të harmonizojnë çmimet e tyre me këto kufizime, në të kundërtën mund të përballen me masa ndëshkimore sipas ligjeve në fuqi.

​Në fund, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo parregullsi që hasin në pikat e karburantit.

Ankesat mund të adresohen zyrtarisht përmes postës elektronike në [email protected] ose duke thirrur pa pagesë në numrin e telefonit 0800 11000.