Kuvendi mban dy seanca, njëra për Rexhep Qosjen
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të zhvillojë sot dy seanca të ndara, duke kombinuar një aktivitet përkujtimor me një agjendë të ngarkuar legjislative.
Në orën 09:00, deputetët do të mblidhen në një seancë të veçantë për të nderuar figurën e akademikut Rexhep Qosja, një nga personalitetet më të rëndësishme të jetës akademike dhe kulturore shqiptare.
Më pas, në orën 12:00, do të mbahet seanca plenare, ku në rend dite janë një sërë projektligjesh dhe vendimesh me rëndësi institucionale.
Deputetët pritet të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe projektligje që lidhen me sektorin e energjisë dhe energjinë elektrike.
Gjithashtu, në këtë seancë do të trajtohet edhe projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe disa vendime për emërime në institucione të pavarura, përfshirë Këshillin Shtetëror të Cilësisë, Komisionin për Provimin e Jurisprudencës dhe Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
