Kuvendi mban dy seanca nesër
Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë ditës së nesërme.
Seanca e parë nis në ora 10:00 dhe do të jetë në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.
Një orë më vonë pritet të zhvillohet seanca e dytë, ku në rend dite janë dhjetë pika, përfshirë miratimin e procesverbalit, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020.
Në këtë seancë janë paraparë edhe votime për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bordit të RTK-së dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.
Po ashtu, do të shqyrtohet një propozim-rezolutë për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe propozimi për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
