Irani godet Izraelin me raketa balistike, tensionet përshkallëzohen në prag të Pashkës hebraike
Sirenat e alarmit kanë përfshirë zonat qendrore të Izraelin mbrëmjen e së mërkurës, pasi Irani ka lëshuar një breshëri të re raketash balistike, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon në prag të Pashkës hebraike.
Sipas ushtrisë izraelite, rreth 10 raketa janë lëshuar drejt territorit qendror, ndërsa vetëm pak minuta më vonë është raportuar për një tjetër valë sulmesh, duke e çuar në disa breshëri të njëpasnjëshme gjatë ditës.
Autoritetet theksojnë se një pjesë e raketave kanë qenë të pajisura me municione thërrmuese, të cilat përbëjnë rrezik të lartë për civilët për shkak të fragmenteve që mund të mbeten aktive edhe pas shpërthimit fillestar.
Intensiteti i sulmeve iraniane është ulur krahasuar me ditët e para të konfliktit, kur u raportuan deri në 90 raketa në ditë, ndërsa aktualisht numri varion nga 10 deri në 15 në ditë.
Në zhvillimet politike, Donald Trump ka deklaruar se nga ana iraniane është kërkuar armëpushim, por ka përjashtuar çdo marrëveshje pa rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Ky pretendim është mohuar nga Teherani, ku zyrtarët e ministrisë së jashtme e kanë cilësuar si të pavërtetë dhe pa bazë.Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka shprehur gatishmëri për armëpushim, por vetëm nëse garantohen kushte që parandalojnë rifillimin e luftës.
Situata mbetet e tensionuar edhe në Gjirin Persik, ku forcat iraniane kanë njoftuar për goditjen e një cisterne nafte pranë brigjeve të Katarit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, anija ka pësuar dëme materiale, por nuk raportohet për viktima.Konflikti vazhdon të mbajë rajonin në gjendje alarmi të lartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i druhet një përshkallëzimi të mëtejshëm me pasoja globale.
