Sanie Kuqi Rexhepaj: Zhvillimi i Zonës Industriale në Shirokë nuk matet me deklarata, por me zbatim të ligjit
Sanie Kuqi Rexhepi ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook lidhur me gjendjen në Zonën Industriale në Shirokë, duke theksuar se ajo shpesh është cilësuar si një nga zonat më të zhvilluara në Kosovë, por realiteti në terren tregon mungesë të zbatimit të ligjit dhe përgjegjësisë institucionale.
Ajo ka bërë të ditur se në Kuvend është shqyrtuar një raport për këtë zonë dhe është miratuar një vendim për t’u dhënë bizneseve edhe një vit afat shtesë për realizimin e investimeve.
Megjithatë, sipas saj, një vendim i tillë nuk është kompetencë e Kuvendit, por e Kryetarit të Komunës, i cili duhet të veprojë mbi bazën e raportit të drejtorisë përkatëse, ashtu siç e përcakton ligji në fuqi.
Kuqi Rexhepaj ka paralajmëruar se zhvendosja e përgjegjësisë nga një institucion te tjetri vetëm sa e thellon problemin dhe krijon hapësirë për trajtim të pabarabartë të bizneseve, ku disa ndëshkohen ndërsa të tjerëve u tolerohen shkeljet në heshtje.
Ajo ka propozuar hartimin e një Plani të Veprimit konkret, i cili do të analizonte secilën kontratë individualisht, do t’i kategorizonte ato dhe do të përcaktonte masa të qarta për secilën kategori, me qëllim sigurimin e zbatimit të kontratave dhe barazisë para ligjit.
Në fund, Kuqi Rexhepaj ka theksuar se shumë nga shkeljet aktuale janë pasojë e neglizhencës ndër vite nga institucionet përgjegjëse, konkretisht Zyra e Kryetarit dhe Drejtoria e Pronës, duke nënvizuar se përgjegjësia duhet të merret seriozisht dhe jo të shpërndahet për të shmangur vendimmarrjen.
