Kurti viziton AKI-në: Rritje buxheti dhe avancim i kapaciteteve për sigurinë kombëtare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së. Gjatë vizitës, ai u prit nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë të agjencisë.
Në këtë aktivitet u ndanë certifikata për zyrtarët e rinj të AKI-së, si dhe u përurua një objekt modern brenda kompleksit të agjencisë. Kryeministri Kurti theksoi se inteligjenca përbën një nga shtyllat kryesore në mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe në garantimin e vendimmarrjes së informuar përballë sfidave të sigurisë.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë për AKI-në, duke përmendur rritjen e buxhetit dhe zotimin se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sipas tij, avancimi i kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të AKI-së, si dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, janë dëshmi e përgatitjes së Kosovës për realitetin e ri të sigurisë.
Kurti nënvizoi se AKI ka pasur rol të rëndësishëm në përballimin e kërcënimeve nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar, duke kontribuar në sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë zyrtarët e AKI-së për shërbimin e tyre profesional dhe përkushtimin në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
