Kurti: Qeveria miratoi 12 vendime kyçe në javën e dytë të qeverisjes

20.02.2026

Albin Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e dytë të Qeveria e Kosovës, të mbajtur në javën e dytë të qeverisjes, janë marrë gjithsej 12 vendime me rëndësi të veçantë për vendin.

Ndër vendimet kryesore janë themelimi i Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe miratimi i Programit të Projektligjeve për vitet 2026–2028.

Në këtë program përfshihen Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji i ri për Çmimet Tavan, të cilat Kurti i cilësoi si zotime qeveritare dhe nevoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Po ashtu, qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe pakon e 19-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.Vendime të tjera përfshijnë themelimin e dy ndërmarrjeve të reja lokale publike, “Fushë-Kosova” Sh.A. në Fushë Kosovë dhe “Eko-Drenasi” Sh.A. në Drenas, si dhe krijimin e Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike.

Sipas Kurtit, kjo zyrë do të rrisë llogaridhënien, do të forcojë koordinimin ndërmjet ministrive dhe do të sigurojë që çdo euro e buxhetit të kthehet në ndikim real për qytetarët.