Banorët e Peqanit prej muajsh të braktisur: Kanalizimi i ujërave të zeza derdhet në rrugë, institucionet pa reagim

14.02.2026

Banorët e fshatit Peqan në komunën e Suharekë po përballen me një problem serioz të kanalizimit që nga vera e vitit 2024.

Në rrugën “Dëshmorët e Peqanit”, ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe dhe po derdhen në rrugë tash e më shumë se gjashtë muaj, duke rrezikuar shëndetin publik dhe duke vështirësuar jetën e përditshme të banorëve.

Sipas banorëve, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, organet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e këtij problemi.

Ata thonë se asnjë ekip nuk ka dalë në terren për ta inspektuar gjendjen, ndërsa premtimet e dhëna deri më tani kanë mbetur vetëm fjalë boshe.Banorët e Peqan kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga komuna dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata po përkeqësohet çdo ditë dhe po bëhet e padurueshme, sidomos gjatë kushteve të motit të ngrohtë.

Ata paralajmërojnë se nëse nuk ka reagim të shpejtë, do të detyrohen të ndërmarrin veprime të tjera për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet.