FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani, krah Ushtrisë Amerikane

10.02.2026

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë mortajash.

Ushtrimi fushor “Dynamic Front” është një nga stërvitjet më të rëndësishme shumëkombëshe që synon testimin dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet ushtrive të NATO-s dhe partnerëve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.

Këtë vit, ushtrimi po zhvillohet paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.FSK ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore Grafenwöhr Training Area, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

Kontingjenti i FSK-së ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në koordinim edhe me trupat e Ushtrisë Italiane.Gjatë ushtrimit, toga e mortajave e FSK-së, përmes Vijës së Zjarrit, Qendrës së Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesve të Përparëm, ka realizuar qitje me mortaja 120 mm ndaj objektivave të planifikuara, si në kushte ditore ashtu edhe natën.

Pjesëmarrja në “Dynamic Front 26” ka mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira me forcat partnere, duke dëshmuar nivelin e lartë të profesionalizmit, disiplinës dhe gatishmërisë së FSK-së për të kontribuar në paqe dhe siguri ndërkombëtare.